Shporta

0 Produkti - 0L

Shtëpia Botuese Toena

Të dhënat e Librit

Rëniet – Ngritjet e Demokracisë

Author:

800L

Shpërndaje në rrjetet sociale:

Përshkrimi

Vepra më e re e akademikut Rexhep Meidani është vepër shumë e rëndësishme e botuar në çastin e duhur për lexuesit shqiptarë dhe për politikën shqiptare. Rëndësia e saj është e përmbajtur edhe në titull: Rëniet – ngritjet e demokracisë. Sa titull i bukur! Dhe i shumëkuptimshëm. Titull vërtet demokratik për demokracinë, që mund të krijohej vetëm prej një demokrati të vërtetë. Tiranët, despotët, diktatorët kanë menduar dhe kanë thënë se regjimet e tyre, “demokratike”, nuk njohin rënie, por vetëm ngritje!
Lexuesi do të kuptojë teksa të fillojë ta lexojë se vlerën e jashtëzakonshme të kësaj vepre, përpos dhuntisë shembullore të autorit për përimtime të thella dhe përgjithësime të gjera, e kanë përcaktuar edhe kultura e tij filozofike, përgatitja e dukshme teorike, njohuritë historike dhe më në fund, përvoja vetjake e politikanit dhe shtetarit Rexhep Meidani.
Nuk ka dyshim se kjo vepër do të jetë shumë e dobishme për lexuesit dhe për historianët e demokracisë në përgjithësi, dhe ata të shtetit shqiptar në veçanti. Prej saj, do të mësojmë çka nuk kemi ditur fare dhe çka kemi ditur pasigurt për tipat e shtetit, për tipat e demokracisë, për rëniet dhe ngritjet e saj gjatë historisë dhe sot. Por, prej saj do të mësojmë shumë edhe për përtashësinë politike shqiptare, madje edhe për tranzicionin shqiptar.
Lexojeni këtë vepër! Do t’ju bëjë të mundshme t’i shihni më thellë, t’i kuptoni më qartë e t’i vlerësoni më drejtë ato që nuk i keni kuptuar plotësisht për shtetin e demokracinë, dhe të mendoni më urtë, për të këqijat e të mirat pa të cilat nuk mund të ketë jetë shtetërore.
Me këtë vepër të vogël për nga numri i faqeve, por të madhe për nga domethënia politike, shtetërore dhe morale, kryetari i parë demokrat në historinë e shtetit shqiptar, Rexhep Meidani, dëshmohet edhe si teorik e historian i rendit të parë për shtetin dhe për demokracinë në shkencën shqiptare.

Prishtinë       

Rexhep Qosja
dt. 14.2.2011

Rexhep Qemal Meidani ka lindur në Tiranë, më 17 gusht 1944. Është zgjedhur President i Republikës për periudhën korrik 1997 – korrik 2002.  Ka kryer studimet universitare dhe pasuniversitare për fizikë në Shqipëri dhe Francë. Ka titujt shkencorë: Docent, 1981; Profesor,  1987; Anëtar i Akademisë së Shkencave, 2003.  Disa nga detyrat akademike e profesionale të ushtruara kanë qenë: Përgjegjës katedre, (1986-1990, 1992-1996); Dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, (1988-1992); Anëtar i redaksisë së “Buletinit të Shkencave Natyrore” (BSHN), (1978-1994); Kryeredaktor i BSHN, (1989-1994); Anëtar i redaksisë së “Physica Balcanica” dhe  “Balkan Physics Letters”, (1987-1996); etj. Ndër veprimtaritë jashtë vendit, krahas asaj në Universitetin e Prishtinës, Kosovë, mund të përmendet aktiviteti kërkimor në Francë, (1973-1976) (Universiteti i Caen-it,; C.E.N.-Saclay dhe Universiteti Paris XI-Orsay) apo veprimtaritë e tjera si kërkues, profesor, lektor e shkencëtar i ftuar, në universitete e qendra shkencore në Itali, Francë, Gjermani, Angli, SHBA, Greqi, etj. (1981-1996).  Është angazhuar në një veprimtari të larmishme shoqërore e politike. Ka qenë anëtar i Komitetit Shqiptar për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim në Ballkan, (1986-1990); kryetar i bordit të Qendrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut, (1994-1996); kryeredaktor i revistës “Të Drejtat e Njeriut”, (1994-1996); Sekretar i Përgjithshëm i PS-së (1996-1997); anëtar i bordit këshillues të revistës ndërkombëtare “World Leaders” (2002); anëtar i “Klubit të Madridit” (prej vitit 2002), etj.
Për veprimtarinë e tij mësimoro-shkencore e politiko-shoqërore është nderuar me “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Teknik i Stambollit, Turqi, 1998; Universiteti Aristotelit i Selanikut, Greqi, 1998; Universiteti i Sofies, Bullgari, 1998; Universiteti Amerikan i Romës, Itali, 1999; Universiteti i Mesdheut Renè Cassin, Bari, Itali, 1999; Universiteti i Bridgeport-it, Connecticut, SHBA, 2001 dhe Universiteti i Portsmouth-it, Angli, 2002. Ndër nderimet e tjera universitare mund të përmenden dhe: F. LUX AWARD, Univ. Clark, Worcester, Massachusetts, SHBA, 2000; Jan Masaryk Medal, Universiteti Ekonomik, Pragë,  Republika Çeke, 2001; Chancellor’s International Medallion of Distinction, Universiteti i New Orleansit, New Orleans, SHBA, 2002. Po kështu, për veprimtarinë e tij në përgjithësi është nderuar dhe me urdhra, medalje e çmime të tjera si: Urdhri  “Naim Frashëri”, 1981; “Çmimi i Republikës”, 1988; Medalia e Artë e Meritës e Qytetit të Athinës,  Greqi, 1998; Kryqi i Madh i Shpëtimit, Greqi, 1998; Urdhri Kombëtar “Ylli i Artë i Rumanisë” (Ordinul National “Steaua Romanici” in Grand de Colan),  Rumani, 1999; Çelësi i Artë i Qytetit  Worcester, Massachusetts, SHBA, 2000; Urdhri i Mbretit Tomislav, Kroaci, 2001; Çelësi i Artë i Qytetit, Prague, Rep. Çeke, 2001; Medalja “Schuman”, Fondacioni “Robert Schuman”, Paris, Francë, 2001; Urdhëri Kombëtar i Meritës (The National Order of Merit, in the grade of Companion of Honour), Maltë, 2002; Qytetar Ndërkombëtar Nderi (International Honorary Citizen), New Orleans, SHBA, 2002; Çelësi i Artë i Qytetit, New Orleans, SHBA, 2002, etj. Ka botuar në Shqipëri një numër të madh artikujsh shkencorë, monografi, libra universitarë dhe pasuniversitarë, broshura, etj. Po ashtu është autor i disa dhjetëra artikujsh apo punimesh shkencore të botuar në revista serioze shkencore jashtë vendit (si Francë, Gjermani, Itali, Angli, SHBA, Hollandë, Turqi, Bulgari, Greqi, Rumani, Kinë, Hungari, etj.). Ka botuar po ashtu  brenda e jashtë vendit me qindra artikuj (shkencorë, shoqërorë, politikë e biografikë), intervista, fjalime, analiza, etj., si dhe 5 libra me natyrë politiko-publicistike.

Vlerësime

Nuk ka asnjë vlerësim për këtë libër

Be the first to review “Rëniet – Ngritjet e Demokracisë”

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *