Shporta

0 Produkti - 0L

Shtëpia Botuese Toena

Të dhënat e Librit

Gruaja me të Zeza – Vojsava Nelo

Author:

800L

Lloji: Roman
ISBN: 978-9928-4277-3-1
Formati: 13×20 cm
Faqe: 208

Kategoritë ,
Shpërndaje në rrjetet sociale:

Përshkrimi

Romani “Gruaja me të Zeza” është një narracion artistik që tipologjikisht qëndron shumë afër me romanin magjik. Shkrimtarja e mirënjohur, Vojsava Nelo, ndërton një vepër në të cilën kohët, ngjarjet, personazhet dhe përjetimet vendosen në kufi të ekzistencës së tyre. Kjo mënyrë rrëfimi i jep narracionit dramacitet dhe tension, që e bëjnë lexuesin “t’i mbahet fryma”.
Vetë protagonistja e romanit, Gruaja me të Zeza, shfaqet herë si një personazh real, herë si një fantazmë; herë e dukshme dhe herë e padukshme, duke përhapur një makth tragjik, duke shkatërruar njerëz dhe jetë njerëzish me tradhtinë, pabesinë dhe perversitetin pa cak.
Autorja, duke risjellë artistikisht simbole dhe kumte që vijnë nga legjendat, tekste dhe mendësi të botës magjike, realizon një zhvendosje semantike të tyre në kohët e sotme. Përmes kësaj mënyre krijuese shkrimtarja përcjell mesazhin se progresi i njeriut dhe shoqërisë ndjek një trajektore dramatike. Gruaja me të Zeza i vjen autores si një imazh nga fëmijëria, që e ka aty, brenda, të mbytur, por papritur e pakujtuar, i del përpara. Ballë për ballë.
Ç’ndodh me autoren?! Po me Gruan me të Zeza?! Përgjigjen e këtyre pyetjeve dhe shumë të tjerave i mësojmë duke lexuar romanin, i cili të intrigon me fabulën interesante, të trondit me dramacitetin dhe të emocionon thellë me sintaksën tepër poetike.

Rreth Autores

Vojsava Nelo lindi në Delvinë, ku dhe nisën fillimet e saj letrare. Që në adoleshencë publikoi krijimet e para në revistat e kohës. Në vitet universitare botoi librin e parë “Kur çelin ëndrrat” (poezi), i cili u mirëprit nga kritika, duke i hapur rrugën e gjatë të krijimit letrar.
Në vitin 1977 u pranua si anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Krijimtaria e saj letrare-artistike është tejet e pasur, ku një vend të madh zënë librat me poezi: “Mbretëroj” (1995), “Idil në dy akte” (1997), “Benvenuta Artemida” (shqip-italisht, 2001), “Tretur te puthja” (lirika për dashurinë, 2004), “Gërsheti i prerë” (2010). Gjithashtu ka botuar suksesshëm romanet: “Mikesha e yjeve” (1999), “Vajza e gjysmës së Diellit” (2002), “Të fshehtat e mikeve të mia” (njëzet e një ngjarje në një), “Gruaja me të Zeza” (2015).
Është ndër ata autorë që mban lidhje intensive me lexuesin e saj, brenda dhe jashtë vendit.
Vojsava Nelo është autorja e mbrëmjes poetike-teatrore “Eja të Duhemi”, vënë në skenë nga Teatri Metropol në kuadër të 100-vjetorit të Krijimit të Shtetit Shqiptar (mars 2012).
Ka marrë pjesë në disa takime poetike kombëtare, ballkanike e ndërkombëtare, duke u përfshirë në antologjitë përkatëse.
Krijimtaria e saj është vlerësuar me çmime të rëndësishme, si: çmimi i dytë “Për botimet më të mira të vitit” në gazetën “Drita”, 1977; çmimi “Asdreni” në “Netët korçare të poezisë”, 2010 etj.
Vojsava Nelo mban titullin “Qytetare Nderi”, dhënë nga Këshilli i Bashkisë së qytetit të Delvinës.
Sot, shkrimtarja Vojsava Nelo është një zë origjinal i letërsisë shqipe si në poezi, ashtu dhe në prozë.

Vlerësime

Nuk ka asnjë vlerësim për këtë libër

Be the first to review “Gruaja me të Zeza – Vojsava Nelo”

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *