Shporta

0 Produkti - 0L

Shtëpia Botuese Toena

Të dhënat e Librit

Ditari i një ministri të Jashtëm – Paskal Milo

Author:

1,500L

 

ISBN : 978 – 99943 – 1 – 458 – 4
Faqe : 448
Formati : 15×23.5 cm

 

Shpërndaje në rrjetet sociale:

Përshkrimi

Konflikti i Kosovës 1997-2001 është një vepër dokumentare-historike shumë e rëndësishme, e para, për të parë dhe për të kuptuar edhe prej një ane si është bërë lufta politike e diplomatike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në çfarë vështirësish dhe me çfarë pengesash është ballafaquar ajo këtu, në Ballkan dhe në botë dhe e dyta, për të shkruar objektivisht, siç është në të vërtetë, historinë e asaj lufte, sidomos, gjatë viteve që mbulohen me shënime në këtë ditar.
As dhjetë vjet pas çlirimit të Kosovës prej pushtimit serb ne nuk mund të themi se e kemi shkruar apo se po e shkruajmë shkencërisht, objektivisht, historinë e lëvizjes për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, qoftë madje as të katër viteve vendimtare për të. Po botohen artikuj, fejtone, kujtime, tekste shkollore, po bëhen filma dokumentarë, por në shumicën e tyre shpjegimet dhe vlerësimet në masë të madhe janë të përcaktuara prej përkatësive partiake a përkatësive të tjera të ngushta të autorëve të tyre.
Ditari i sjell të dhëna dhe gjykime të mbështetura në ato të dhëna, që ndriçojnë një varg ngjarjesh, qëndrimesh, veprimesh dhe subjektesh politike në kohën e trajtuar në të. Si të dhëna të dorës së parë, si gjykime e përfundime të mbështetura në vrojtimet e një dëshmitari të rendit të parë, ato pashmangshëm do të ndikojnë shumë që lëvizja jonë të trajtohet historikisht më saktë, më drejt, më gjithanshëm se deri tani. Ato do të bëjnë që të thyhen iluzione, të mënjanohen gabime dhe, të shpresojmë, të parandalohen gjykime e vlerësime të anshme, të partishme, që vetëm sa e shfytyrojmë të vërtetën mbi lëvizjen tonë çlirimtare.
Rëndësia e këtillë e të dhënave, e vrojtimeve, e gjykimeve dhe e përfundimeve që sjell ditari, është e vetëkuptueshme. Milo është para së gjithash intelektual, i cili pas rënies së komunizmit i është kushtuar edhe politikës. Ditari i tij, prandaj, është ditar i atdhetarit, i cili vendin e vet, e vendi i tij është edhe Kosova, i cili popullin e vet, e populli i tij janë edhe kosovarët, e do jo duke krijuar iluzione me të pavërteta, po duke ia shpjeguar saktë njëmendësinë e trajtuar. Vrojtimet e tij mbi atë njëmendësi ai i paraqet ashtu siç i paraqesin, zakonisht, krijuesit e vërtetë: gjithnjë në mënyrë mbresëlënëse edhe për shkak të qartësisë e të bukurisë së gjuhës me të cilën thuhen, edhe për shkak të patosit moral që është i përmbajtur në atë gjuhë.

Paskal MILO ka lindur në Palasë, Himarë, më 22 shkurt 1949.
Është diplomuar për Histori dhe Gjeografi në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, Universiteti i Tiranës. Ka kryer studime pasuniversitare në Suedi. Ka gradën shkencore “Doktor” në histori dhe titullin “Profesor”.
Ka kryer detyra shtetërore: sekretar shteti për arsimin (1991); ministër i Punëve të Jashtme (1997-2001); ministër për Integrimin Evropian (2001-2002). Është deputet në disa legjislatura të Kuvendit të Shqipërisë që nga viti 1992 dhe ka kryer funksionet e kryetarit të Komisionit të Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Shëndetësisë (1992-1996) dhe të sekretarit të Komisionit të Politikës së Jashtme e Marrëdhënieve Ndërkombëtare (2003-2005).
Ka ushtruar detyra profesionale e shkencore: përgjegjës i Katedrës së Historisë Botërore (1988-1995); dekan i Fakultetit të Historisë e të Filologjisë (1991-1992); anëtar i Këshillit Shkencor të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë (1988-2002); anëtar i Këshillit Shkencor të Universitetit të Tiranës (1991-1992); anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit të Historisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (1985-1991); anëtar i Bordit të Drejtorëve të “Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë” (Fondacioni Soros) Tiranë (1993-1997); anëtar i Komisionit të Historisë së Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Milano Itali (1991-2001); anëtar i Këshillit Argjentinas të Marrëdhënieve Ndërkombëtare (2000); anëtar korrespondent i “Shoqatës Kiliane të Historisë e Gjeografisë” (2000).
Është ligjërues në Universitetin e Tiranës dhe në universitete të tjera jopublike në Tiranë e Prishtinë. Ka ligjëruar në universitete të ndryshme në SHBA, Kanada, Suedi, Itali, Spanjë, Greqi etj. Ka referuar në institute e këshille për politikë të jashtme e marrëdhënie ndërkombëtare, si në SHBA, Kanada, Argjentinë, Kili, Britani e Madhe, Suedi, Norvegji, Danimarkë etj. Ka kryer kërkime shkencore në arkivat historikë të: Departamentit të Shtetit në SHBA (1996 dhe 1997), të Forin Ofisit në Londër (1994), të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë (1994), të K’e d’Orsej-Paris (1997), si dhe në Greqi, Egjipt etj.
Pas vitit 1990 ka një veprimtari aktive shoqërore e politike. Ka qenë kryetar i Komitetit Kombëtar Shqiptar të Asamblesë së Qytetarëve të Helsinkit (1993-1997), anëtar në disa borde e komisione rajonale për paqe e mirëkuptim ballkanik. Është kryetar i Partisë Demokracia Sociale e Shqipërisë. Është dekoruar me urdhra, medalje e çmime të ndryshme brenda e jashtë vendit.
Është autor i disa librave politikë dhe historikë, i monografive, i botimeve shkollore dhe universitare, i shumë artikujve shkencorë të botuar brenda dhe jashtë Shqipërisë. Është pjesëmarrës me referate e kumtesa në kongrese, konferenca, simpoziume e seminare kombëtare e ndërkombëtare.

Vlerësime

Nuk ka asnjë vlerësim për këtë libër

Be the first to review “Ditari i një ministri të Jashtëm – Paskal Milo”

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *