Shporta

0 Produkti - 0L

Shtëpia Botuese Toena

Të dhënat e Librit

Dëshmitar në kohë historike V1

Author:

1,500L

Lloji: Ditar
Faqe: 576
Formati: 15 x 23 cm
ISBN: 978-99943-1-960-2

Kategoritë ,
Shpërndaje në rrjetet sociale:

Përshkrimi

Rreth librit

Pse e ka shkruar këtë ditar?

Pse po e boton këtë ditar?

Janë dy pyetje që gjithkush do t’i bënte për të ditur më shumë për këtë lloj ditari të akademikut Rexhep Qosja. Sepse, siç e thotë një shkrimtar që ka shkruar kujtime në mbështetje të shënimeve të datuara ditore, ditari ndodh të shkruhet për të lënë autori i tij sa më shumë të dhëna për jetën, për krijimtarinë, për natyrën, për karakterin, për shprehitë, për virtytet dhe për veset e tij. Edhe vetë ai nuk ngurron t’u japë përgjigje lexuesve duke u përpjekur, aq sa ka qenë e mundshme, që të jetë sa më objektiv, i drejtë, i paanshëm ndaj vetes e ndaj të tjerëve në këtë ditar. Është përpjekur, prej vëllimit të parë e deri te i fundit, që t’i shmangë cilësorët vlerësues për veten, por kjo nuk do të thotë se kjo përpjekje e ka nxitur të shmangë edhe cilësorët vlerësues që kanë shqiptuar apo që kanë shkruar të tjerët për të. Duke qenë kritik letrar, kritik politik dhe kritik moral ndaj të tjerëve, ai ka qenë i vetëdijshëm se rendi e do që në këtë ditar të jetë kritik letrar, kritik politik dhe kritik moral edhe ndaj vetes. Për këtë arsye lexuesi i këtij ditari do të hasë në gjykime të tijat kritike për veten, do të hasë në tekste në të cilat pa ngurrim do të flitet për veset, të këqijat, gabimet e tij të ndryshme.

“E di se kam pasur e se kam vese; e di se kam bërë dhe bëj gabime; e di se e metë e madhe e natyrës sime ishte dhe është nxitimi, nxitimi i mallkuar që më ka shtyrë e më shtyn të them a, madje, edhe të bëj diçka që shpejt më bën të pendohem, prandaj, në këtë ditar do të përpiqem të tregoj të mirën, të drejtën dhe të vërtetën, por edhe të keqen, iluzionin, gabimin që e gjeja te vetja ime”, veçon ndër të tjera akademiku.

Është e padyshimtë se jo të gjithë ata që mbajnë ditar – shkrimtarë, shkencëtarë, filozofë, shtetarë, politikanë, diplomatë, aventurierë, pasanikë a varfanjakë shkruajnë ditar për të njëjtat arsye. Njerëz të ndryshëm, që merren me punë të ndryshme, që kanë profesione të ndryshme, që jetojnë në kushte të ndryshme, do të mendojnë në mënyra të ndryshme. Ditarët e tyre, kur botohen, na tregojnë, kur më shumë e kur më pak pse ata kanë mbajtur ditar. Këtë na e dëshmojnë ditarët e shumtë që janë botuar dhe vazhdojnë të botohen në numër gjithnjë e më të madh edhe sot, sidomos në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Akademiku Rexhep Qosja ka sjellë vrullin e një jete intelektuale, ngjarjet, debatet, polemikat, botimet e më gjerë, duke pasur parasysh të gjitha fletoret e blloqet me shënime. Ditari i tij parashikohet të dalë në 8 vëllime, por që deri tani janë botuar vetëm pesë prej tyre.

Në këtë botim, akademiku trajton ngjarje, çështje, personalitete, probleme, dukuri, procese shoqërore, politike, letrare, artistike, shkencore, filozofike, kulturore, para së gjithash në Kosovë e në Shqipëri, por edhe në Jugosllavi e në botë. Ngjarjet që kanë sjellë viti 1966, vitet historike 1968 e 1981, formimi i partive, politika e tyre, formimi i UÇK-së, marrëdhëniet me Shqipërinë dhe qëndrimet e vetjeve të ndryshme politike e intelektuale ndaj Shqipërisë janë ngjarje me përkushtim të posaçëm në këtë ditar. Profesori tregon se si krijonte, çfarë krijonte, çfarë lexonte, cilët krijues kombëtarë dhe botërorë çmonte dhe i donte më së shumti. Mandej, ai flet, duke i përshkruar e duke i vlerësuar, për ngjarje për të cilat është shkruar e folur nga autorë a mediat tona dhe për ngjarje për të cilat deri tani nuk është shkruar.
Në ditarin e vet, akademiku Rexhep Qosja është ndalur te personalitete të ndryshme: krijues letrarë e artistikë, studiues të fushave të ndryshme shkencore, kuadro të universitetit, politikanë e shtetarë me të cilët ishte takuar gjatë jetës së tij. Galeria e personaliteteve për të cilat flet, duke u bërë portrete treguese është jashtëzakonisht e pasur. Personazhe të shpeshta në të janë edhe disa gazetarë e publicistë. Ditari i tij, në njëfarë mënyre është historia e ngjarjeve, veprimeve, politikave, sjelljeve e vetjeve për të cilat deri sot nuk është ditur apo shtrembëruar e vërteta: është historia e vërtetë e përpjekjeve shumëvjeçare për ndryshimin e fatit të mëparshëm historik të popullit shqiptar – për krijimin e shtetit të Kosovës, në të vërtetë për bashkimin kombëtar.

Fragment nga libri

Kam filluar të mbaj ditar kur isha i ri, përafërsisht në moshën njëzetekatërvjeçare. Punoja mësues në shkollën tetëvjeçare të fshatit Shipol afër Mitrovicës. Nuk më njihte kush aty dhe nuk njihja kënd në fillim të punës në atë fshat. Isha i vetmuar. Jetoja me kujtimet për prindërit, për vëllezërit e për motrat, për shokët e Normales së Prishtinës, me disa prej të cilëve, kohë pas kohe, shihesha qoftë në Mitrovicë, qoftë në Prishtinë. Bota ime gjithsesi ishte shumë e vogël. Kisha dëshirë ta rrisja, ta pasuroja më shumë. Për këtë arsye mbrëmjeve shkoja shpesh në qytet, në Mitrovicë, dhe shkoja me shpresë se do të njihesha me ndonjë shok a ndonjë shoqe.

Këto kujtime dhe këto dëshira do të bëhen përmbajtja e ditarit tim në Shipol, që kisha filluar ta shkruaja në radhë të parë për t’u liruar sadopak shpirtërisht prej vetmisë në të cilën jetoja. Në të do të shprehja gjithë ndjenjat e mia, gjithë mendimet e mia, gjithë shkaqet e pakënaqësive që më sillte ajo vetmi. Ditari ishte bërë ngushëllimi im.

Rreth autorit

Rexhep Qosja lindi më 25.6.1936.

Ka kryer studimet e larta për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Është specializuar për shkencën e letërsisë në Universitetin e Beogradit. Është doktoruar me temën “Asdreni – jeta dhe vepra e tij”.

Ka qenë profesor i estetikës dhe drejtues i studimeve të shkallës së tretë për filologji në Fakultetin Filologjik të Prishtinës.

Ka qenë kryeredaktor i revistës letrare “Jeta e re” dhe për 11 vjet drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Ka qenë kryetar i Lëvizjes së Bashkuar Demokratike të Kosovës, anëtar i delegacionit të Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje dhe anëtar i Kryesisë së këtij delegacioni.

Ka qenë anëtar i Këshillit Administrativ dhe Këshillit të Përgjithshëm të Kosovës derisa kryeadministrator i Kosovës ishte Bernard Kushneri.

Merret me prozë – tregime e romane, dramaturgji, histori të letërsisë, kritikë, eseistikë, publicistikë dhe polemikë. Veprat “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “Sfinga e gjallë”, “Beselam pse më flijojnë”, “Bardha”, “Çështja shqiptare – historia dhe politika” dhe “Populli i ndaluar” janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Drama të tij janë shfaqur në teatrot e Kosovës, të Shqipërisë, në disa qendra në ish-Jugosllavi dhe në Evropë.

Shkrimet e tij publicistike të botuara në shtypin kroat e slloven kundër politikës serbe ndaj shqiptarëve, duke filluar nga viti 1981, shënojnë fillimin e dejugosllavizimit të mendimit politik shqiptar në Kosovë.

Është anëtar i Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës prej themelimit të saj dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Në vitin 1998 u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit” i Republikës së Shqipërisë.

Është shpallur “Qytetar Nderi” i qyteteve Vlorë, Gjirokastër, Tepelenë.

Në vitin 2012, Instituti Albanologjik i Prishtinës botoi serinë e veprave të tij në 29 vëllime.

Vlerësime

Nuk ka asnjë vlerësim për këtë libër

Be the first to review “Dëshmitar në kohë historike V1”

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *